Fokusi te Deti Adriatik: avancimi i qëndrueshmërisë mjedisore afatgjatë të peshkimit dhe akuakulturës

29/04/2025
Ky muaj shënon hyrjen në fuqi të 17 vendimeve që Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun (KPPM/GFCM) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) miratoi në sesionin e tij të fundit vjetor. Nëpërmjet vendimeve të tij, GFCM-ja promovon zhvillimin, ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm mjedisor të burimeve të gjalla detare dhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor të akuakulturës në të gjithë Mesdheun dhe Detin e Zi.
Disa nga vendimet më të rëndësishme të këtij viti fokusohen te Deti Adriatik: vendosjen e limiteve vjetorë të zënieve të pelagjikëve të vegjël të ndara sipas specieve, një zonë e re e kufizuar peshkimi (FRA) dhe masa përforcuese që adresojnë menaxhimin e specieve kryesore fundore.
Menaxhimi më i fortë i peshkimit
I ndarë nga gjashtë vende, Deti Adriatik është më i vogli nga katër nënrajonet mesdhetare të GFCM-së. Deti Adriatik është i pasur ekologjikisht dhe biologjikisht, por përballet me sfida të tilla si mbipeshkimi, degradimi i habitateve dhe ndryshimet klimatike.
GFCM-ja ka luajtur një rol vendimtar në menaxhimin e peshkimit në Adriatik nëpërmjet masave të shumta, të tilla si zhvillimi i kërkimeve shkencore dhe vlerësimeve të rezervave, miratimin e planeve shumëvjeçare të menaxhimit dhe krijimin e FRA-ve.
Plani i parë i menaxhimit të GFCM-së u miratua në vitin 2013, dhe mbulonte speciet si açuga dhe sardelja, të cilat janë kritike për industrinë e peshkimit dhe ekosistemin e Detit Adriatik. Këto dy specie pelagjike tani janë kthyer në qendër të vëmendjes. Pas një procesi të vlerësimit të strategjisë menaxhuese të zhvilluar në konsultim me grupet e interesit, GFCM-ja miratoi vendosjen e limiteve vjetorë të zënieve të pelagjikëve të vegjël të ndara sipas specieve të bazuar në rregullat e kontrollit të zënieve, që përfaqëson një përmirësim nga limiti i përbashkët i peshkimit të zbatuar deri më tani.
Një tufë sardelesh ©Falk Viczian Solarboot-Projekte gGmbH
“Kjo qasje e re ndaj menaxhimit është një hap në drejtimin e duhur drejt sigurimit të rezervave të shëndetshme peshkore, parandalimit të mbipeshkimit dhe garantimit që industria e peshkimit të mundë të vazhdojë të ofrojë një sektor peshkim me qëndrueshmëri mjedisore për një periudhe afatgjate ,” tha Marin Mihanovic, Oficer për Peshkimin dhe Koordinatori Nënrajonal për Detin Adriatik pranë GFCM-së. “Përveç kësaj, kjo njihet gjerësisht si një nga praktikat më të mira për të mbështetur qëndrueshmërinë ekologjike dhe qëndrueshmërinë ekonomik, por edhe si menaxhim i përmirësuar i peshkimit për efikasitetin ekonomik, përfitimet për komunitetin, reduktimin e zënieve rastësore dhe për një pajtueshmëri dhe zbatim më të mirë.”
Menaxhimi hapësinor është përmirësuar gjithashtu, pasi një FRA e re hyn në fuqi në Kanalin e Otrantos në Adriatikun jugor, midis Shqipërisë dhe Italisë. FRA-ja u krijua pas një procesi gjithëpërfshirës që zgjati disa vite dhe përfshiu të gjithë grupet e interesit. Është FRA-ja e njëmbëdhjetë e krijuar nga GFCM-ja në zonën e saj të zbatimit dhe e treta në Detin Adriatik, pas Kanionit të Barit dhe Thellësisë së Jabuka/Pomos.
Kanali i Otrantos është zona e kufizuar e peshkimit e njëmbëdhjetë e krijuar nga GFCM-ja
FRA-ja e Kanalit të Otrantos FRA ndjek zyrtarisht qëllimin e dyfishtë të mbrojtjes së ekosistemeve detare vulnerabil të formuara nga bamboo coral nga ndikimet negative të konsiderueshme të peshkimit dhe rritjes së produktivitetit të burimeve të gjalla detare, përmes mbrojtjes së habitateve thelbësore të peshqve, si ato të karkalecave të kuq të thellësisë, merlucit dhe skampit. FRA-ja arrin këto synime duke ndaluar peshkimin fundore në zonën qendrore, ndërkohë që kufizon dhe rregullon aktivitetet e peshkimit fundor në zonën buferike.
Përveç kësaj, gjithashtu është përforcuar edhe menaxhimi i specieve kryesore fundore. Një plan menaxhimi shumëvjeçar i GFCM-së që mbulon merlucin, barbunin, gjuhëzën e zakonshme, skampin dhe karkalecat rozë të thellësisë, është në fuqi që nga viti 2019. Në kombinim me FRA-në e Thellësisë së Jabuka/Pomos, plani i menaxhimit ka dëshmuar efektivitetin e tij: biomasa e të pesë stokeve është përmirësuar, ndërsa tre prej tyre, konkretisht barbuni, karkaleci rozë i thellësisë dhe gjuhëza e zakonshme, kanë arritur nivele të qëndrueshme shfrytëzimi. Për të vazhduar mbështetjen dhe rikuperimin e rezervave, ky vendim i fundit redukton më tej sforcon aktual të peshkimit fundor dhe prezanton masa shtesë në hapësirë dhe ne kohë të dizajnuara për të përmirësuar statusin e skampit.
Gjuhëza e zakonshme (majtas, ©Sylvain Le Bris) dhe skampi (djathtas, ©Sue Scott)
“Besoj se masat e menaxhimit të zbatuara gjatë viteve të fundit do të sjellin përmirësime afatgjata në sektorin e peshkimit, duke siguruar vazhdimësinë e tij dhe duke e bërë më tërheqës për brezat e rinj,” tha Ilir Kapllani, një peshkatar nga Durrësi, Shqipëri.
Bashkëpunimi efektiv ndërkombëtar
Bashkëpunimi i forte ndërkombëtar në gjithë pellgun e Adriatikut ka qenë themelor për ruajtjen e burimeve detare dhe për avancimin e peshkimit në rrugën drejt qëndrueshmërisë. Bashkëpunimi forcohet përmes Komitetit Nënrajonal të GFCM për Detin Adriatik, ndërkohë që aktivitetet e përgjithshme të GFCM mbështeten dhe koordinohen nga Njësia Teknike Nënrajonale e Detit Adriatik, e cila u hap në vitin 2022 në Split, Kroaci. Këto struktura mbështesin drejtpërdrejt zbatimin e programit të zhvillimit të kapaciteteve MedSea4Fish të GFCM-së, për të barazuar kushtet në gjithë pellgun sa i përket njohurive, ekspertizës dhe infrastrukturës.
Gjithashtu mbështeten në bashkëpunimin e formalizuar në vitin 1999 përmes Projektit FAO AdriaMed, i cili nder vite ka luajtur një rol kyç në nxitjen e bashkëpunimit shkencor midis vendeve përkatëse, duke kontribuar në zbatimin e Kodit të Sjelljes së FAO-së për Peshkim të Përgjegjshëm dhe parimeve të qasjes ne ekosistem në peshkim dhe akuakulturë.
“GFCM-ja ka pranuar se Deti Adriatik ka specifika unike ekologjike, social-ekonomike dhe qeverisjeje dhe ka përshtatur qasjen e tij nënrajonale për të garantuar që politikat e peshkimit t’i adresojnë sfidat në mënyrë të koordinuar midis shteteve bregdetare, duke marrë gjithashtu parasysh prioritetet kombëtare,” tha Katarina Burzanović, Drejtor i Përgjithshme në Drejtorinë për Peshkimin pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave të Malit të Zi.
Bashkëpunimi është gjithashtu jetik për të siguruar pajtueshmërinë dhe zbatimin e vendimeve të GFCM-së. Përpjekjet për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar kanë mbuluar procedurat e përforcuara të inspektimit portual dhe përmirësimin e detyrimeve të raportimit të të dhënave, duke përfshirë përdorimin e regjistrave elektronikë, sistemeve të identifikimit të automatizuar dhe/ose sistemeve të monitorimit të anijeve në të gjitha anijet e peshkimit që operojnë sipas planeve të menaxhimit. Skema të përbashkëta vullnetare inspektimi janë zhvilluar gjithashtu në nënrajon, duke rritur bashkëpunimin dhe duke fuqizuar aftësitë në det dhe në porte.
Ekipi i GFCM-së duke instaluar pajisje gjurmuese në anijet e peshkimit në shkallë të vogël në Mal të Zi ©FAO-GFCM
Duke u mbështetur në këto përpjekje, GFCM-ja, përmes projektit të saj FishEBM Med, ka mbështetur zbatimin praktik për përmirësimin e mjeteve të monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes. Këtë vit, GFCM ka punuar me Malin e Zi për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse dhe për të pajisur flotën e varkave artizanale të vendit me pajisjet e nevojshme gjurmuese. Kjo nismë synon të rrisë monitorimin e aktiviteteve të peshkimit dhe të sigurojë praktika më të qëndrueshme.
Avancimi i akuakulturës së qëndrueshme mjedisore
GFCM-ja ka mbështetur në mënyrë aktive zhvillimin e qëndrueshëm të akuakulturës në Adriatik, duke punuar me vende si Shqipëria për të krijuar Zonat e Përcaktuara të akuakulturës (AZA) për peshqit e dhe molusqet. Nëpërmjet asistencës teknike, zhvillimit të kapaciteteve dhe misioneve në terren, GFCM vazhdon të mbështesë avancimin e procesit të identifikimit të AZA-ve dhe garantimin që zhvillimi i qëndrueshëm i akuakulturës të përputhet me qasjen e FAO-s të bazuar në ekosistem dhe Udhërrëfyesin e Transformimit Blu.
Misioni në terren i GFCM-së për akuakulturën dhe ndryshimet klimatike ©FAO-GFCM/ Danijel Kanski
GFCM-ja ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me organizata shkencore dhe prodhues vendas në Kroaci për të vlerësuar më mirë efektet e ndryshimeve klimatike në akuakulturë dhe për të eksploruar masat e mundshme të përshtatjes. Adriatiku është një nga nënrajonet e studiuara si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të vlerësuar ndikimet në të gjithë Mesdheun. Rritje e temperaturës së ujit ka çuar në rritjen e niveleve të vdekshmërisë gjatë verës për specie si levreku, ndërsa disa ferma të midhjeve mesdhetare pësuan humbje të konsiderueshme në vitin 2024, pasi midhjet nuk rezistojnë mirë në temperatura të larta. Për t’u përshtatur, prodhuesit e akuakulturës po eksplorojnë masa të reja, siç është akuakultura multitrofike e integruar. Janë duke u zhvilluar prova me ostrikat, pasi kjo specie duket më rezistente ndaj rritjes së temperaturave të ujit sesa midhjet.
Ndërsa ndryshimet klimatike intensifikohet, efektet janë veçanërisht të dukshme në Adriatik, i cili është një det i cekët dhe gjysmë i mbyllur. Zhvillimi dhe zbatimi i masave përshtatëse do të jetë kyç për të siguruar një peshkim dhe akuakulturë të qëndrueshme dhe për të ruajtur ekosistemet detare.
Puna e GFCM-së në Detin Adriatik është bërë e mundur falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, donatori kryesor i GFCM-së, si dhe mbështetjes së dhënë nga Fondi Global i Mjedisit.

