General Fisheries Commission for the Mediterranean - GFCM

Nga politika në veprim: zhvillimet kryesore në luftën kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar

Vendet në Mesdhe dhe Detin e Zi po ndërmarrin masa për të krijuar kushte të barabarta për peshkatarët e ligjshëm në rajon dhe për t’u siguruar që prodhimet e detit të merren përmes aktiviteteve të ligjshme.

EN | AL | FR | TU

05/06/2025

Dita Ndërkombëtare për Luftën kundër Peshkimit të Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar nuk është thjesht një shënim në kalendar. Ajo është një thirrje globale për të mbrojtur oqeanet tona dhe komunitetet që varen prej tyre.

Në Mesdhe dhe Detin e Zi, po ndryshon situata për peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (PPP). Gjatë vitit të fundit, Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun (GFCM) ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin me vendet anëtare kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar, duke i shndërruar angazhimet në veprime konkrete, në det, në port dhe në politikë bërje. Në prag të Konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Oqeanin 2025 që do të mbahet javën tjetër në Nisë, mesazhi është i qartë: Peshkimi i paligjshëm, i paraportuar dhe i parregulluar nuk ka vend në të ardhmen e rajonit.

Një front i bashkuar kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar

E mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të saj, së bashku me Turqinë, Marokun dhe vende të tjera, GFCM-ja po bën përparime të konsiderueshme në luftën kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar. Një përparim kyç në këtë fushatë është Rregullorja e Kontrollit e BE-së e rishikuar së fundi, e cila në fund të vitit 2023 kontribuoi ndjeshëm në forcimin e përdorimit të teknologjive dixhitale dhe sistemeve moderne të menaxhimit të të dhënave për të monitoruar aktivitetet e peshkimit ndërmjet vendeve të BE-së. Kjo përfshin promovimin e përdorimit të aplikacioneve intuitive për të lehtësuar procedurat e raportimit si për peshkatarët profesionistë ashtu edhe për ata amatorë, si dhe për të gjitha anijet e peshkimit, pavarësisht nga madhësia e tyre, duke e bërë më të lehtë regjistrimin e peshkut të zënë në libra zëniesh elektronikë ose platforma të tjera në internet. GFCM-ja po shfrytëzon përvojën e vendeve anëtarëve të saj për të zbatuar mësimet e nxjerra në të gjithë rajonin dhe për të përforcuar përpjekjet për të frenuar në mënyrë efektive peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar.

“Gjatë viteve, janë shtuar inspektimet dhe përgjegjësitë e sektorit të peshkimit mbi ruajtjen e burimeve . Ndjekja është bërë e mundur falë vënies në zbatim të teknologjive të përparuara për kontrollin dhe monitorimin në kohë reale. Kjo nënkupton një të ardhme me qëndrueshmëri mjedisore për burimet tona të peshkimit”, thotë një inspektor i peshkimit në Shërbimin Detar të Peshkimit në Malaga, Spanjë.

Një gur themeli i këtyre përpjekjeve qëndron në hartimin dhe zbatimin e planeve kombëtare të veprimit për të parandaluar, penguar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (NPOA-IUU). Deri tani, në vitin 2025, janë regjistruar përmirësime të rëndësishme në këtë fushë, me Shqipërinë, Malin e Zi, Turqinë dhe Ukrainën që po punojnë ngushtë me GFCM-në për të hartuar, rishikuar dhe zbatuar kornizat e tyre kombëtare.

Peshkatarë në Turqi ©FAO-GFCM/Claudia Amico

“Roli i inspektorëve të peshkimit ka evoluar ndjeshëm, me teknologji dhe rregullore më të rrepta që po përmirësojnë aftësinë tonë për të zbuluar dhe penguar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar. Këto ndryshime jo vetëm që mbështesin një menaxhim më të drejtë të sektorit të peshkimit, por gjithashtu forcojnë mbrojtjen e ekosistemeve detare të brishta. Puna jonë sot është më shumë se sa zbatimi i ligjit, ajo është një angazhim për qëndrueshmërinë mjedisore”, thotë Sadettin Doğu, Drejtori i Departamentit të Peshkimit dhe Akuakulturës pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Turqisë.

Këto plane mbështeten nga një paketë rajonale (modele ligjore, praktika më të mira dhe ndihmë praktike), e krijuar për të ndihmuar vendet në zhvillimin e planeve të tyre kombëtare të veprimit kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar. Ato gjithashtu janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, Strategjinë e GFCM-së 2030 dhe Planin Rajonal të Veprimit të GFCM-së për Luftimin e Peshkimit të Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar.

Teknologjitë e reja përmirësojnë gjurmueshmërinë

Maroku është ndër vendet e para që ka zhvilluar zgjidhje elektronike për raportimin e peshkut të zënë dhe gjurmimin e peshkimit në shkallë të vogël duke përdorur teknologji të tilla si identifikimi me radio-frekuencë për të përmirësuar gjurmueshmërinë e produkteve dhe për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar.

“Ne peshkojmë ditë e natë, por peshkimi i paligjshëm kërcënon të ardhmen tonë; ai shteron rezervat e peshkut nga të cilat ne varemi. Nëse deti është bosh, nuk ka burim jetese për familjen time”, thotë El Ayachi El Gargari, një peshkatar artizanal nga Maroku.

Peshkatar në Marok ©FAO-GFCM/Claudia Amico

GFCM-ja e ka mbështetur këtë proces duke miratuar rekomandime detyruese dhe duke ofruar rishikime ligjore të dedikuara dhe ndihmë për hartimin e legjislacionit për disa vende.

Këto veprime plotësohen me trajnime për të pajisur autoritetet kombëtare dhe inspektorët me aftësitë dhe mjetet e nevojshme për të forcuar kontrollin në sektorin e peshkimit. Në të gjithë rajonin, po testohen procedura të përbashkëta inspektimi, dhe po integrohen teknologji të reja në sistemet e monitorimit të anijeve, duke krijuar një sistem zbatimi më modern, të unifikuar dhe transparent.

Një pajisje e re për të ndihmuar inspektorët dhe për të mbrojtur peshkatarët

Mali i Zi mori pjesë së fundi në një program pilot për sistemet e monitorimit të anijeve që testoi në mënyrë vullnetare transpondera në anije peshkimi në shkallë të vogël. Kjo nismë shënoi një pikë kthese në bashkëpunimin midis peshkatarëve dhe autoriteteve, duke treguar mundësinë reale të integrimit të peshkimit në shkallë të vogël në kornizat e monitorimit dixhital.

Srećko Andričić, peshkatar nga Komuna e Tivatit, Mali i Zi

“Pajisjet e sistemit të monitorimit të anijeve janë kyçe në mbrojtjen e burimeve detare duke treguar se ku operojnë anijet. Ato ndihmojnë në zbulimin e peshkimit të paligjshëm dhe mbështesin përpjekje më të mira për planifikimin dhe ruajtjen”

Knežević Ivo, peshkatar nga Ada Bojana, Mali i Zi

“E mirëprita projektin pilot të sistemit të monitorimit të anijeve për përfitimet e tij të shumta. Ai rrit sigurinë në anijet tona të vogla dhe i ndihmon inspektorët të zbulojnë peshkimin e paligjshëm. Edhe të dhënat gjithashtu mbështesin ruajtjen e burimeve dhe garantojnë një përdorim të drejtë të ndihmës shtetërore siç janë subvencionet për karburantin”.

Duke parë përpara

Në vitin 2015, GFCM-ja propozoi datën 5 qershor si Ditën Ndërkombëtare për Luftën kundër Peshkimit të Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar, një datë që shënon hyrjen në fuqi të Marrëveshjes historike për Masat Shteteve Portuale. Dhjetë vjet më pas, lufta kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar është ende larg përfundimit, por po ndryshon diçka themelore. Vendet nuk po punojnë më në mënyrë të izoluar. Ato po ndajnë njohuritë, po koordinojnë veprimet dhe po kalojnë nga angazhimet për politikat në veprime konkrete.

Ndërsa festojmë Ditën Kundër Peshkimit të Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar 2025, nderojmë përpjekjet kolektive të qeverive, peshkatarëve, inspektorëve dhe komuniteteve bregdetare që luftojnë për dete më të drejta dhe me më shumë qëndrueshmëri ekologjike. GFCM-ja mbetet partner i përkushtuar në këtë përpjekje, duke ndihmuar për të kthyer ambicien në veprim dhe veprimin në ndikim të qëndrueshëm.

Duke parë përpara, lufta kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar ka të bëjë me mbrojtjen e njerëzve, ekosistemeve dhe të ardhmes së deteve tona.

Puna e GFCM-së për pajtueshmërinë është bërë e mundur falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, donatori kryesor i GFCM-së, si dhe mbështetjes së dhënë nga Fondi Global i Mjedisit.

Burimet:

Bashkohuni me bisedën në X në #FightIUUfishing

Fotografia shoqëruese: Inspektime në port © Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëri